Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka marrë pjesë në konferencën online të Asamblesë Parlamentare të Procesi të Bashkëpunimit të Europës Jug- Lindore.

Në Asamble u diskutua për pandeminë dhe Ruçi tha se pavarësisht se Rajoni i Ballkanit Perëndimor pati më pak viktima, ndikimet negative të rënda janë po njëlloj në fushat e tjera si në ekonomi.

Ruçi kërkoi nga vendet e Rajonit një bashkëpunim emergjent dhe shkëmbim përvojash në mënyrë që Shqipëria së bashku me vendet e tjera të jenë të përgatitura për një tjetër sfidë të madhe.

FJALA E GRAMOZ RUÇIT

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruci, në Sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore, SEECP

E mërkurë, 24 qershor, ora 9:30

Shpreh kënaqësinë dhe nderin që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të marr pjesë dhe të përshëndes në punimet e seancës së 7-të Plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore.

Është për të ardhur keq që sot nuk mundëm të ishim fizikisht në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë sesion, por në kushtet e pandemisë COVID-19,  me të cilën po përballemi të gjithë, është në të mirën e përbashkët të takohemi në formë virtuale.

Me shpresë se së afërmi do të kemi  mundësinë të takohemi nga afër, duke qenë të bindur se pandemia do të marrë fund dhe vendet tona, si gjithë njerëzimi, do t’u rikthehen normalitetit dhe gëzimeve të jetës.

Më lejoni, së pari, të falenderoj Kuvendin e Kosovës që edhe pse në kushte jo të zakonshme, ka bërë një organizim të shkëlqyer të kësaj mbledhjeje, si dhe t’i falenderoj për përkushtimin që kanë treguar gjatë presidencës për forcimin e mëtejshëm të organizatës tonë.

Kjo ishte një Presidencë në një kohë jonormale, por puna dhe përkushtimi juaj, znj. Osmani, e bënë këtë Presidencë si edhe këtë sesion produktiv dhe të efektshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Tema për të cilën po diskutojmë sot është shumë aktuale dhe e rëndësishme për rajonin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimi dhe mirëkuptimin në proceset integruese, në të cilat janë përfshirë vendet tona.

Inkurajimi i të gjitha formave të dialogut dhe thellimit të bashkëpunimit parlamentar është një parim që udhëzon diplomacinë parlamentare shqiptare.

Bashkëpunimi, koordinimi dhe integrimi i vendeve tona është një domosdoshmëri për t’u përballur me sfidat që kemi përpara, si kjo e pandemisë, por edhe e sfidave të përhershme, si punësimi, rritja ekonomike, ulja e varfërisë dhe ndërlidhshmëria e rajonit.

Fokusi i Asamblesë Parlamentare, pasi Parlamenti ka qenë dhe është funksionimi konkret i saj, është i bazuar në solidaritet, mirëkuptim dhe pjesëmarrje aktive e konstruktive të të gjitha vendeve anëtare.

Jam i bindur që shtyllat tona të përkushtimit rajonal, solidaritetit dhe gjithëpërfshirjes, do të vazhdojnë të shërbejnë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e kontakteve midis të gjitha vendeve tona, konsolidimin e përpjekjeve tona në përmbushjen e sfidave të sigurisë dhe materializimi i projekteve të përbashkëta ekonomike, si dhe përshpejtimi i ritmit të integrimit evropian për të gjitha vendet e rajonit tonë.

Por pandemia që ka përfshirë rajonin, tonë, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona.

Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendet tona të ndajnë përvojat e tyre në luftimin e pandemisë Covid-19, në mënyrë që të jemi të gatshëm për sfida të tjera të mundshme në të ardhmen.

Fatmirësisht vendet tona u goditën më pak sesa rajonet dhe vendet e tjera të botës, përsa i përket humbjeve njerëzore.

Por nga pikëpamja e ndikimit në rritjen ekonomike, mirëqënien e popullsisë dhe ritmet e zhvillimi, pasojat edhe në vendet tona ishin po kaq të rënda.

Bashkëpunimi ynë bëhet më emergjent, po të mbajmë parasysh se, edhe pse kishim humbje më të vogla jetësh njerëzore, për kthimin në normalitet të ekonomisë, zhvillimit, mirëqenies, shëndoshjes së sektorit privat,  dhe shërbimeve publike ndaj qytetarëve, ne do të ndeshemni me më shumë vështirësi sesa vendet  e zhvilluara.

Unë kam besim se, përveç mbështetjes që vendet tona do t’i japin njeri-tjetrit, në këtë aspekt nuk do të na mungojë as ndihma e BE-së, siç ndodhi edhe pas letrës që i dërguam Presidentit të Parlamentit Europian Sassoli, të cilin duhet ta falenderojmë për gadishëmrinë dhe vullnetin për të ndihmuar rajonin tonë.

Në përfundim, më lejoni t’i uroj punime të mbara punimeve të seancës së Asamblesë Parlametare të SEECP-së dhe shumë suksese Turqisë, si kryesuese e radhës për vitin 2020-2021.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, ju lutem më lejoni të përfundoj duke shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj Kryesisë së Kosovës dhe veçanërisht ndaj Presidentes Vjosa Osmani, për organizimin dhe përkushtimin e tyre.