burg-drejtor
I dënuar me gjashtë vjet burg, Agron Sinani kërkoi leje me justifikimin se kishte një të afërm të sëmurë. Drejtuesit e burgut nuk ia refuzuan kërkesën dhe 35 vjeçari duket se ka dalë i qetë, për të mos u kthyer më në qeli. Dje mbaronte leja prej 7 ditësh, por Sinani nuk u paraqit në burg.

Drejtuesit e burgut njoftuan pikat kufitare dhe komisariatet e policisë. Nuk dihet përse iu dha leje aq lehtësisht një të dënuari për shfrytëzim prostitucioni dhe për trafik të miturish.

Fillimisht janë njoftuar zyrtarët e lartë të Drejtorisë së Burgjeve dhe pastaj edhe komisariatet Kukës, Tiranë e Mat, si dhe pikat doganore në të gjithë vendin.

Agron Sinani kishte vuajtur tri vite dhe duhej të vuante dhe tri vite të tjera. 35-vjeçari është dënuar për veprat penale të “rekrutimit dhe detyrimit të femrave për ushtrim prostitucioni” dhe “trafikim të të miturve”.

Në verën e vitit 2010, ai së bashku me dy persona të tjerë kanë mbajtur të izoluara në Linëz tri vajza, 15, 18 dhe 19 vjeçe, dhe kanë tentuar t’i trafikojnë në Kosovë. Ky shtetas ka rezultuar i dënuar më parë me gjashtë muaj burg për “dezertim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak”.