Astrit-Patozi

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi është shprehur me ironi se “Armando Prenga shtiu edhe duke ikur”, duke iu referuar letrës së Prengës, që shpjegonte dorëzimin e mandatit të tij, e cila sipas Patozit, është hartuar me porosi nga Kryeministri Rama.

 

Postimi i Astrit Patozit në Facebook:

“ARMANDO PRENGA SHTIU EDHE DUKE IKUR
Dha dorëheqjen vetëm një orë pasi të shqyrtohej për të disatën herë mandati i tij në KQZ-në e keqpërdorur shumë fort nga qeveria. Me një letër prekëse, për të cilën nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, që nuk e di se nuk e ka shkruar vetë. Sepse Armando Prenga nuk ka asnjë lidhje me tekstin dhe fjalën, me gjuhën dhe kulturën. Ai ishte deputet në parlament deri dje për një zanat tjetër, të cilin e kishte ushtruar me mjeshtëri edhe mu në mes të qytetit.

Nuk ngutem të them me siguri që letrën e Prengës u ul dhe e shkroi me dorën e vet Edi Rama, por jam shumë i sigurt që ajo u hartua besnikërisht me porosi të tij. Por, sipas meje, është shumë e rëndë përmbajtja e letrës dhe mesazhi i saj, se të gjitha ato që mund të ketë bërë në jetë Armando Prenga.

Ai na tha sot me dorën dhe gojën e dikujt tjetër që po ikën nga parlamenti, sepse u mërzit prej tij, dhe jo se nuk është më i denjë për atë sallë. Se atë e kishin shqetësuar kot me akuza në parlament, por jo se ai i kishte hyrë ndonjëherë në hak parlamentit. Një Zot e di pse nuk kanë shkruar që duhet t’i kërkojmë edhe falje atij, që po ikën nga deputet vetëm për hir të qetësisë së familjes.

Sepse, mesa duket, në koordinim të plotë me KQZ-në, Edi Rama ka dashur ta kursejë atë nga vendimi i pashmangshëm i skadimit te mandatit për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Është njësoj sikur dikë, që është kapur duke vrarë, jo vetëm ta ndihmosh që t’u ikë nga duart policëve, por edhe t’i japësh një pistoletë, që të qëllojë sërish”.