topalli me lul bashen
Jozefina Topalli godet sërish. Dhe tashmë silurët e saj duken qartë se nuk janë goditjet në shkretëtirë të një gruaje hatërmbetur nga mospërfillja e kryetarit të ri të partisë. Ato janë më tepër se sa kaq, një lëvizje politike me një strategji të përcaktuar qartë: tubimin rreth vetes të krahut më radikal dhe më të ashpër të PD-së. Edhe këtë të martë ajo i ka kërkuar lidershipit të PD-së tu japë përgjigje disa pyetjeve që i mundojnë sot shqiptarët, si evazioni fiskal, egzili, mungesa e ujit dhe dritave dhe rrijta e çmimit të naftës.

E duke bërë këtë enumeracion të pafund ish kryetarja e kuvendit ironizon “pushimet e gjata” të Lulzim Bashës dhe mungesën e opozitës së ashpër nga ana e tij . “Ikin për pushime të gjata dhe “udhëheqësit ” politikë… Dhe asgjë nuk ndodh…Pse? Pyetjen nuk e kam për klikën në pushtet, Jo! Pyetjes duhet t’i përgjigjet opozita” shkruan Jozefina Topalli (lexo shkrimin poshte).

Edhe në këtë rast duket qartë se ish numri dy i demokratëve në kohë të Berishës, po synon të mbajë me ushqim të gjithë të pakënaqurit e periudhës Basha. Përpos llogarive personale me kryetarin aktual që nuk e ka duruar kurrë, Topalli ka dy atu të pakundërshtueshme për ta luajtur këtë rol dhe për të rifituar një peshë reale politike në partinë e saj. Së pari ajo e ka gdhendur prej kohësh këtë profil politik. Ajo gjithmonë ka mbajtur pozita radikale edhe atëherë kur para zgjedhjeve të vitit 2005 deklaronte se i vetmi gabim i Sali Berishës ishte se nuk i futi plumbin ballit rebelëve të vitit ’97 edhe më pas kur e ka kundërshtuar ish kryeministrin hapur dhe publikisht për zgjedhjen e dy kryeprokurorëve të vendit. Së dyti, Topalli ka edhe një avantazh që i jep flatra radikalizmit të saj. Ajo ka namin e një gruaje të pakorruptuar, në ndryshim nga shumë hierarki të tjerë të PD-së, gjë që i jep mundësinë të flasë lirshëm dhe fort.

Falë këtij background-i Jozefina Topalli po i lejon sot vetes të bëjë opozitën e opozitës së Bashës. Ndryshe nga kryetari de fakto që thjeshtë e kundërshtoi ajo u tregua më radikale dhe i bëri thirrje njerëzve se votimi i ligjit për arsimin e lartë është një arsye më tepër për ta rrëzuar regjimin. Këtë linjë e ka mbajtur edhe kur pak ditë më parë ajo pati refuzuar konceptin e një opozite alla europiane, duke shpallur se nuk është për opozitë konstruktive dhe së fundi duke u bërë thirrje shqiptarëve të ngrihen si luanë për të përmbysur qelbësiarat e korrupsionit.

Përplasjet e Topallit me Bashën nuk datojnë që sot. Të gjithë kronikanët e PD-së e mbajnë mend se ajo e bojkotoi fjalimin më të rëndësishëm të kryetarit të ri, atë në kuvendin e kësaj partie. Të gjithë e mbajnë mend gjithashtu se ajo u bë e para që demaskoi përrallën e bashës se partia e tij i kish fituar zgjedhjet nga Jugu në Veri. Dhe të gjithë i patën shpjeguar këto qëndrime herë më ekstreme dhe herë më të drejta me inatin proverbial që gruaja pranë Berishës mëkon cdo ditë kundër pasardhësit të tij.

Por jo me sa duket kësaj qefmbetje femërore, kësaj ambicieje për karierë Jozefina Topalli po kërkon ti japë edhe një trajtë politike. Ajo po tenton të bëhet liderja e grupit radikal në PD, duke vënë bast se me kalimin e kohës dhe abuzimin e pushtetit, ky krah do rritet dhe shumohet duke i dhënë asaj një peshë të vërtetë politike. Madje duke i dhënë asaj një forcë më të madhe sesa ka pasur nën drejtimin e kryetarit të vjetër.