Sot Shqipëria është në udhëkryq, ku pushteti grabit votat,  shkel liritë dhe të drejtat e njerëzve duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes”. Edhe pse duket sikur ka dalë sot nga goja e Lulzim Bashës, bëhet fjalë për deklaratën e Edi Ramës në 1 maj të vitit 2010, ditën kur 22 deputetë të PS ( atëherë në opozitë) nisën një grevë urie përballë godinës së kryeministrisë.

Asokohe me vendim unanim ,Asambleja e PS vendosi të bojkotojë pa afat dhe parlamentin, duke vënë në dyshim dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjë që nuk u prit aspak mirë nga ndërkombëtarët. Ja se si reagonte departamenti amerikan i shtetit  nëpërmjet zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Thomas Countryman në 9 shkurt 2011:

“Nuk është gjë e zgjuar bojkoti i zgjedhjeve. Shqipëria nuk është i vetmi vend europian ku protestat përfundojnë me dhunë. Gjej rastin të shpreh pakënaqësinë që opozita dhe mazhoranca nuk kanë gjetur gjuhën për të trajtuar problemin e zgjedhjeve”.

Po kaq e ashpër ka qenë dhe gjuha e europianëve. Ja se ç’deklaronte në 3 shkurt të vitit 2010 presidenti i Bundestagut gjerman Norbert Lammert për bojkotin e opozitës:

“Duke qenë se në sistemet demokratike, roli i parlamenteve është i një rëndësie tejet të madhe, sigurisht që nuk është një ide e mirë bojkotimi i parlamentit, nuk ka rëndësi se me çfarë argumentimi dhe sigurisht që kjo ide e bojkotimit nuk përmirëson cilësinë e vet edhe nëse bazohet në precedentë të mëparshëm”.

Edhe më e ashpër pak muaj më vonë ka qenë qëndrimi i OSBE për bojkotin parlamentar. Ja se ç’shkruhej në deklaratën e shtatorit  2011:

“Duke bojkotuar opozita nuk kreu detyrën kushtetuese dhe nuk bashkëpunoi për reformat. Me gjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për të vazhduar reformat”.

Bojkoti klasifikohet indirekt si mosplotësim i detyrave kushtetuese “për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur, për zgjedhjet për qeverinë vendore…”.

Duket se ndërkombëtarët janë të kursyer në fantazinë për të ndryshuar gjuhën e komunikimit me partitë politike shqiptare kur bëhet fjalë për bojkot. Qëndrimet ngjajnë si dy pika uji edhe pse djegia e mandateve nga deputetët e opozitës është një akt i pandodhur më parë në historinë e politikës shqiptare.

Sa më lart le të kuptohet se në të vetmet raste kur ndërkombëtarët reagojnë seriozisht për zhvillimet në Shqipëri janë vendimet ekstreme të partive politike apo dhuna e shfaqur në protestat popullore. Në asnjë rast më herët nuk ka ndodhur që reagimet e ndërkombëtarëve të çdo lloji të kenë qenë në mbeshtetje të opozitës që ka nxitur prishjen e stabiliteteve false që kanë mbizotëruar herë pas here në politikën shqiptare.

Askush në Europë apo ne SHBA nuk ka dëshirë të investohet në një demokraci të pazhvilluar si ajo e Shqipërisë, ku ambasadorët herë pas here mbyllin një sy për problemet që ndodhin, për të mos “hapur probleme” që mund të zgjidhen me stafin lokal. Por këtë herë, vendimi ekstrem i opozitës përtej deklaratave standart, të ngjashme me ato më lart padyshim që do të sjellë dhe zhvillime të reja dhe reagime më të forta nga ndërkombëtarët, që bashkë me ndryshimin e gjuhës së deklaratave (siç ka ndodhur rëndom) do të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje krizës më të fundit në Shqipëri. Që gjithsesi, tashmë dhe ligjërisht e ka të pamundur rikthimin normal të funksionit të parlamentit. Lexoni në linkun më poshtë intervistën e Edi Ramës për Zërin e Amerikës.