Përfundimi këtë të enjte në 7 dhjetor, i mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, ka futur në një konflikt të nxehtë PS dhe opozitën në lidhje me mënyrën se si duhet zgjedhur pasardhësi i tij. Dje në disa media u përhap deklarata e një diplomati të huaj anonim – thuhej se bëhej fjalë për ambasadën amerikane- që kërkonte zgjedhjen e shefit të ri të akuzës me një shumicë të thjeshtë parlamentare. Pra vetëm me votat e Edi Ramës. Ndërkaq mësohet gjithashtu se komisionit të ligjeve të parlamentit që do të mblidhet për të shqyrtuar këtë çështje i është drejtuar një memo nga Drejtoria për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura në Kuvend. Në këtë dokument mbrohet ideja e kundërt, pra ajo e 84 votave. Drejtoria e Kuvendit interpreton se nuk mund të merret për bazë ligji organik për prokurorinë, por duhet të referohemi te Kushtetuta dhe pasuesi i Llallës duhet të zgjidhet me 84 vota.

E gjithë kjo përplasje bëhet edhe më e ashpër, sepse ndryshimet e reja që u bënë në kuadër të reformës në drejtësi parashohin një procedurë tjetër për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm: Ato sanksionojnë se ai duhet të zgjidhet përmes Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mirëpo, si pasojë e zvarritjeve (emrat nga shoqëria civile për ngritjen e KLP nuk janë paraqitur) ky organ i ri nuk është themeluar ende.

Atëhere mbështetësit e socialistëve i kanë thirrur në ndihmë nenit 19/2 të ligjit për prokurorinë i cili shpjegon se si mund të zgjidhet kreu i akuzës kur ende nuk është ngritur KLP-ja. (shiko nenin poshtë faksimile.)Pra nëse kushtetuta e ka taksative se kryeprokurori duhet të zgjidhet me Konsensus të gjërë, a mund ta zhbëjnë socialistët këtë frymë duke zgjedhur një shef akuze që u duhet atyre?

Kjo është pyetja kryesore e këtij debati. Sipas juristëve të pavaruar: Ligji për prokurorinë, vakumi i krijuar nga mosngritja e KLD-së dhe kushtetuta kanë lënë një vakum për mënyrën se si mund të zgjidhet një prokuror i përkohshëm. Prandaj nëse deputetët e Ramës vendosin me kokfortësi të zgjedhin në mënyrë të njëanshme kryeprokurorin e përkohshëm, nuk do të jetë çudi që çështja të shkojë në gjykatën Kushtetuese e cila do të duhet të vendosë a do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë apo me 2/3 pasardhëi i Adriatik Llallës.