hqdefault_11
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka vlerësuar dënimin e djeshëm të pesë personave për kontrabandë të qënieve njerëzore, përmes mashtrimit për dërgim në Amerikë.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj në Facebook, ambasada shkruan se “Organizata kriminale ku ata bëjnë pjesë është përgjegjëse për hyrjen e paligjshme në Shtetet e Bashkuara të më shumë se 600 shtetasve shqiptarë gjatë periudhës së shkurtër që ishte në veprim. Ajo shfrytëzoi shpresat dhe ëndrrat e emigrantëve të mundshëm, duke i vënë ata në rrezik ndërsa siguroi mbi 15 milionë dollarë si të ardhura kriminale”.

Sipas ambasadës, dënimi i djeshëm është rezultat i një hetimi të përbashkët të disa agjencive nën udhëheqjen e Byrosë për Sigurinë Diplomatike në Departamentin e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Kontrabandimi i emigrantëve është një krim i rëndë dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndjekin penalisht kontrabandistët sipas të gjitha hapësirave të ligjit amerikan dhe atij shqiptar. Përdorimi i shërbimeve të një kontrabandisti njerëzish për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara është i paligjshëm dhe vendos emigrantë të mundshëm para një mundësie të lartë shfrytëzimi dhe rreziku”­ përfundon deklarata.

Gjykata dënoi me 59 vjet në total një grup personash që dërgonin refugjatë në shtetet e Bashkuara të Amerikës.14 vjet burg për të pandehurin Fatos Fasko dhe 13 vjet për të pandehurin Enver Karaj. Për të pandehurit Nertil Previzi dhe Fatmir Bakalli gjykata vendosi dënim me nga 11 vjet e 6 muaj burg, ndërsa për të pandehurin Nikoll Kolaj 9 vjet burg. Ata u dënuan të gjithë të fajshëm për akuzën e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Të dënuarit kanë ndihmuar kalimin e gati 100 personave kundrejt shpërblimeve që varionin 24­- 25 mijë dollarë për person.