ali ahmeti

Kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, paralajmëron presidentin Ivanov se vendimi i tij për të bllokuar formimin e qeverisë mes BDI dhe LSMD vetëm për të mos pranuar barazinë e gjuhës shqipe mund të çojë në përplasje ndëretnike. Ai thotë se platforma për gjuhën shqipe është hartuar mes partive shqiptare në Shkup dhe është pjesë e  programeve të tyre elektorale, duke hedhur kështu poshtë akuzat e Ivanov dhe Gruevskit se ajo u hartua në Tiranë.

Deklarata e Ali Ahmetit

Qysh para zgjedhjeve të vitit të kaluar, ftova partitë opozitare shqiptare që të bashkohen në mënyrë që mos të humbasin shqiptarët nga përçarja e madhe e votave. Kjo nuk ndodhi dhe shqiptarët humbën 9 mandate deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë.  Më pas, si fitues i zgjedhjeve dhe drejtues i partisë më të madhe shqiptare, kam ftuar partitë parlamentare shqiptare në takim të përbashkët në Shkup për të bashkërenduar agjendën tonë për rrumbullakësim të Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e barazisë.

Në këtë takim në Shkup, harmonizuam qëndrimet rreth pritshmëritë e shqiptarëve dhe e këtë e kam thënë në cdo prononcim timin publik që Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup dhe për bazë ka programet zgjedhore të të gjithë garuesve shqiptar në zgjedhjet e 11 dhjetorit.  Partitë shqiptare nuk ishin shkas për krizën sistemore në vend dhe duke patur këtë parasysh, ftoj partitë politike shqiptare që të përmbahen nga të shndërruarit të krizës sistemore dhe brendaetnike në një përplasje ndëretnike midis dy komuniteteve shumicë të këtij vendi.

Gjithashtu, ftoj partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësisë së tyre nga implikimi i elementit ndëretnik për arsye të ndjeshmërisë së shoqërisë sonë.

Juve të nderuar qytetar, ju ftoj që të ruani gjakftohtësinë dhe mos të lejojmë që asnjëri nga ne të bie pre e skenareve dashakeqe që kanë origjinë adresa të dyshimta për ne.

Ky është një problem politik dhe partitë politike si dhe institucionet e vendit do të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët, por në ndërmjet kohë, ta besojmë bashkërisht të vërtetën e jo trillimin”