Dy prej aleatëve të Partisë Demokratike, LZHK e drejtuar nga Dashamir Shehi dhe PDK e Nard Ndokës, mendojnë se përdorimi i teknologjisë në zgjedhje nuk i jep asnjë zgjidhje antikushtetueshmërisë që prodhon sistemi aktual zgjedhor. Sipas tyre ndryshimet në sistem do të diktojnë një hartë të re territoriale.

Dashamir Shehi mendon se reforma zgjedhore duhet të ndërhyjë fort në sistem dhe jo të bëjë arnime. Ndërsa Nard Ndoka thekson se aktualisht Shqipëria ka një Kod Zgjedhor antikushtetues, sistemi proporcional rajonal, që ka probleme me përfaqësimin e votës, raporton tv klan.

Në këtë kuadër, ata propozojnë që puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore duhet të nisë nga ndryshimi i sistemit, për të cilin ata kanë edhe propozime konkrete.

“Një mazhoritar proporcional, apo një sistem proporcional me gjashtë rajone duke ulur edhe numrin e deputetëve nga 140 në 120”, është një nga propozimet e dy prej aleatëve të PD-së.

Ndryshimet në sistem, thonë dy aleatët e Partisë Demokratike, diktojnë një hartë të re territoriale, si dhe rikthimin tek listat e hapura.

Propozimet e aleatëve opozitarë vijnë në një kohë kur prioritet i Reformës Zgjedhore për Partinë Demokratike është dekriminalizimin e zgjedhjeve, si dhe votimi e numërimi elektronik.