KE
Ashtu si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe Komisioni Europian vlerëson se niveli i lartë i borxhit publik mbetet një burim i rëndësishëm i rrezikut makroekonomik, por rregullimet fiskale pritet ta ulin atë. Niveli i borxhit të Shqipërisë, në më shumë se 70% të PBB-së, ekspozon vendin ndaj rrezikut të dinamikës së borxhit në rast të goditjeve të mëdha negative. Kjo dobësi është reflektuar edhe në primet e larta të rrezikut në huamarrjen shtetërore e cila ndikon në normat e interesit, me të cilat përballen bizneset.

Ulja e rrezikshmërisë së perceptuar ndaj atyre që mbajnë borxhin e qeverisë mund të kenë impakt pozitiv në ekonominë reale. Megjithatë, rreziqet janë përkeqësuar nga fakti se gati gjysma e borxhit të brendshëm është afatshkurtër, duke rezultuar në nevojën për rifinancimin vjetor të borxhit me një shumë gati sa 20% e PBB-së, duke u mbështetur në një bazë të ngushtë të investitorëve kryesisht nga bankat vendase. Për më tepër, edhe pse një pjesë e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, e cila arrin në 29.1% të PBB-së dhe është me kushte lehtësuese përbën rrezik nga ndryshimi i normave të interesit. Programi është plotësisht i vetëdijshëm për këto rreziqe dhe është e angazhuar për trajtimin e tyre. Konsolidimi fiskal dhe ringjallja e rritjes pritet të fillojë uljen e raportit të borxhit ndaj PBB-së këtë vit, dhe programi përcakton objektivin e uljes, atë për më pak se 66% në 2017 dhe nën 60% deri në fund të 2019-s.

Strategjia e menaxhimit të borxhit synon në periudhën afatmesme të zgjasin profilin e maturimit të borxhit, të reduktojë varësinë nga normat jo fikse të interesit, duke zhvilluar tregun sekondar dhe duke zgjeruar bazën e investitorëve, si dhe duke mbajtur borxhin e jashtëm në kontroll.

Në afat të shkurtër, Shqipëria ka në plan të përdorë një garanci të Bankës Botërore për të zgjeruar huamarrjen e jashtme, duke liruar tregun e brendshëm dhe të lehtësojë ringjalljen e kreditimit të ekonomisë. /Monitor/