Qytetarët e Durrësit duket se i janë rikthyer normalitetit, pas panikut që shkaktuan tërmetet e fuqishme me epiqendër në këtë vend bregdetar.

Më dhjetra familje iu janë drejtuar shtëpive të tyre mëngjesin e sotëm, pasi kaluan natën në pikat e emergjencës të ngritura në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”, ku vijojnë të qendrojnë disa durrsakë, të cilëve tërmeti ua ka rrafshuar banesat.

Mbrëmjen e kaluar, u përhap një lajm i rremë në disa portale, që lajmëronin rënien e një tërmeti prej 6 ballësh në prag të mesnatës. Ky alarm fals shkaktoi frikë kolektive në mbarë vendin, rrugët e të cilit u mbushën nga qytetarët që i trembeshin një tjetër tërmeti të fuqishëm, pas atij të pasdites të së shtunës.

Rajoni i Durrësit ishte epiqendra e tërmeteve që goditën këto ditë vendin. Lëkundjet e tokës janë ndjerë sot deri në orën 02:27. Magnituta e tërmetit të fundit ka qenë 2.7 dhe thellësia 16 km.

Tri tërmete të fuqishme tronditën vendin të shtunën, mes të cilëve njëri ka qenë me magnitudë 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë, i lokalizuar 30 km në veri të qytetit të Durrësit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, ky është tërmeti më i forti i shënuar në vend në harkun e 20-30 vjetëve të fundit.

Si pasojë e lëkundjeve sizmike, të paktën 105 persona mbetën të lënduar, si edhe u shënuan dëme të shumta materiale. Tërmetet vijuan edhe përgjatë ditës së djeshme, por me një intensitet gjithnjë e në ulje.