Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se akuzat që kryeministri Rama ka bërë ndaj kreut të PD në lidhje me hetimet për UÇK-në bëhen për të larguar vëmendjen nga problemet që ka Shqipëria.
Gjatë një takimi me gazetarët, Kryemadhi shprehu qëndrimin e LSI, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një luftë për liri.

“Unë jam e bindur që Basha ka qenë i qartë dhe e ka sqaruar pozicionin e tij. Qëndrimi i LSI vazhdon të jetë po i njëjtë dhe i pandryshuar. Për ne lufta e UCK është jo vetëm një luftë e drejtë dhe legjitime, por është një luftë për liri. Përballë krimit të Miloshevicit është e patjetërsueshme, ta kthesh ata ashtu siç duan ta sjellin në jetën politike.

Unë shpreh besimin dhe përkrahin e LSI. Ata përsëri do ta fitojnë betejën me mekanizmat antishqiptare, që për hir të së vërtetës kanë filluar të lulëzojnë në rajon. Por edhe kjo sfidë do të kalojë edhe pse do të ketë pasojat e veta. Ajo që dua të theksoj është tërheqja e vëmendjen për të mos u marrë me çështje që nuk i takojnë. Rihapja e një debati të tillë është heqja e vëmendjes nga problemet e përditshme të shqiptarëve. Kjo bëhet për të larguar vëmendjen”, tha Kryemadhi.