Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese të biznesit u ngadalësua në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit ra me 2 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Në tregti, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 71.2%, duke qenë rreth 0.7 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtin tremujor një vit më parë. Megjithatë, kjo normë ra me 1.4 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke mbetur 4.9 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

Më shërbime, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi gjithashtu rritje, me 0.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë dhe me 2.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë, rreth 75.9%, qëndron 5.6 pikë përqindje mbi mesataren historike të saj.

Mosshfrytëzimi i plotë i kapaciteteve prodhuese të biznesit tregon se hendeku negative i prodhimit ende nuk është mbyllur dhe ekonomia po rritet akoma nën potencialet e veta.