Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi në seli sot në mbrëmje grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë për të diskutuar mbi vijimin e aksionit opozitar.

Pritet që në këtë mbledhje të merren vendime të rëndësishme, që lidhen me protestat në kuadër të thirrjes për mosbindje civile por edhe në lidhje me protestën e nesërme ku janë ftuar bizneset e vogla që për një orë të mbyllin dyqanet.

Javën e shkuar opozita mbajti një tubim duke bllokuar 4 akset kryesore të vendit në Vorë, Milot, Bradashesh dhe Çermë. Kjo protestë solli më pas edhe procedimin penal të disa eksponentëve të opozitës, pasi nuk kishin marrë leje për tubimin.