“Sistemi i ri i transaksioneve nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin”, ka reaguar ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ndaj kërkesës së PD, që ky projekt të mos realizohet.

“Dolën sot dhe bënë thirrje që sistemi i ri i monitorimit të transaksioneve të biznesit, të mos zbatohet! Pra, ta pengojmë administratën të performojë më mirë, ta lemë informalitetin pa luftuar, t’i lemë të ardhurat pa mbledhur, t’u mohojmë qytetarëve shërbime më të mira publike, por edhe bizneseve një informacion më të qartë dhe në kohë, për transaksionet e deklaruara të tij me çdo biznes tjetër. Sistemi nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin!

Përkundrazi, do të ulë kostot e rënda të sistemit aktual që kemi trashëguar nga koha kur SHQUP-i imponoi kasa me kosto të paktën 300 euro vetëm për instalimin, pa folur për mirëmbajtjen, por që sidoqoftë nuk do të jetë aspak kusht që të dalin nga funksioni”.

Ministri sqaron edhe procedurën e përdorur për prokurimin e sistemit të monitorimit të faturimit

“Procedura e përdorur për prokurimin e sistemit të monitorimit të faturimit nga ana e AKSHI-t është procedurë e hapur, procedura më transparente në ligjin e prokurimit publik. Po çfarë procedure duhet të ndiqet që të sigurohen sistemet për administratën, meqë procedura e hapur, procedura më transparente e ligjit, nuk është e duhur?”, shkruan Ahmetaj në facebook.

Sistemi i monitorimit të faturimit – PD: Tenderi 15 mln euro korruptiv, rrit kostot për biznesin