doci
Agim Doçi ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama”, ku tregon konkretisht emrat e këngëtareve të privilegjuara në festivalet ’70-’90, si dhe arsyet e favorizimeve.

Rrëfimi i poetit për ato vite, vjen pas debatit ku janë përfshirë disa artistë rreth mënyrës se si janë fituar çmimet e para nëpër festivale, ku aludohet se përveç aftësisë së zërit, kanë ndikuar edhe miqtë apo të dashurit.

“Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva.

Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se ça ishin dhe i lanë. U zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi.

Fituan këngëtaret finoke dhe të zgjuara. Finoket ishin nga disa nga qytetet afër Tiranës.

Përgjithësisht ato bënë publikun për vete dhe nuk u duhej as miku dhe as dashnori. Ndërsa të zgjuarat ishin disa këngëtare nga Veriu që i kënduan Enverit e Partisë, dhe nuk ishte nevoja të bënin as finoken dhe as kurvën”, tha gjatë një interviste për “Panoramën” kantautori Gjergj Leka, që ka hapur një debat të gjerë.

Në vijim të kësaj teme, poeti Agim Doçi rrëfen të vërtetat që di rreth festivaleve të dikurshme…

Kohët e fundit, këngët sa vijnë e dominohen me refrene të tipit: “Ta du majmunin”, “Ta du mamin”, “Hiqi sutjenat” etj. Mendoni se këto tekste bëhen të tilla se i kërkon publiku, apo se i imponohen publikut, apo… çfarë tjetër?

Është tendencë që të shpërlajnë trurin e dashamirësve të këngës, që të shesin amoralen! Është biznes edhe kjo rrymë. Më vjen keq që kjo tendencë, madje edhe “botohet”, ose më saktë, transmetohet. Sa keq! Sa turp!

Sapo është hapur një debat lidhur me rivalitetin e këngëtareve “big” në të kaluarën, nga vitet ’70-’90. Këngëtaret femra merrnin vazhdimisht më shumë çmime të para sesa meshkujt. Madje këto të fundit thuajse u lanë në hije. Pse ndodhi kjo?

Kjo nuk është e vërtetë, sepse kishte këngëtarë meshkuj të mrekullueshëm, si Tonin Tërshana, Sherif Merdani (që vuajti padrejtësisht burg), Luan Zhegu, Frederik Ndoci, Bashkim Alibali, Zija Saraçi, Gaqo Çako, Qemal Kërtusha etj. (kërkoj ndjesë që nuk po i përmend të gjithë). Ndërsa këngëtaret femra ishin mjaft të talentuara e nuk bëj gabim të rikujtoj mbretëreshën Vaçe Zela, Marina Grabovari, Parashqevi Simaku, Irma Libohova, Myfarete Laze, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Lindita Theodhori, Anita Bitri (ndjesë pastë), Aurela Gaçe, Manjola Nallbani, Ledina Çelo, e shumë e shumë të tjera që shkëlqenin në skenat e festivaleve! Për arsye se jam në Sarajevë, kërkoj ndjesë që kam pak kohë në dispozicion për t’i përmendur të gjitha gjerë e gjatë!

Cilat kanë qenë sipas jush këngëtaret më të forta rivale në festivale?

Rivalitet midis këngëtareve nuk ka pasur, por kush kishte fat të këndonte këngë me përmbajtje politike e partiake, ishte e privilegjuar! Pra këto këngë diskutoheshin dhe jepeshin çmimet.

A ishin këngëtaret e çmimeve të para aq të zonja, apo u ngritën artificialisht?

Ishin nga ato që merrnin pjesë, sepse kishte shumë talente, që ose i pengonin familjarët, ose “biografia”.

Është aluduar edhe se disa nga këngëtaret “big” kanë qenë të lidhura me kuadro të lartë të Sigurimit të Shtetit, apo edhe ndonjë funksionar të lartë të RTSH-së. Sa e vërtetë mund të jetë?

Ky është një diskutim i nivelit të ulët dhe ka të bëjë edhe me thashethemnajën. Kjo është ana më e keqe e “medaljes”. Përbaltje e artistëve të asaj “kohe”, që bëheshin këngë të vërteta të censurës dhe autocensurës. Parashqevi Simaku është ndër këngëtaret që ka marrë disa çmime dhe publiku e donte.

A ka pasur ndonjë këngë që nuk e ka merituar çmimin e parë dhe në vend të saj duhet ta merrte ndonjë tjetër?

Po ka pasur “raste” kur kënga nuk ishte për Partinë apo udhëheqësin, por për fëmijët, me titull “E duam lumturinë”, me tekst Agim Doçi dhe muzikë Pirro Çako. Populli e donte Parashqevinë, sepse edhe ajo e respektonte publikun, duke filluar nga veshja e deri te performanca dhe interpretimi magjik. Ajo merrte duartrokitje sapo dilte në skenë, madje edhe kur këndonte këngën turke “Lejla”. Kavaja duhet të krenohet me Parashqevinë.

Edhe këngëtarja Lindita Theodhori është komentuar jo pak këto ditë. Së bashku me Parashqevinë, ajo është quajtur nga kantautori Gjergj Leka si e aftë për këngë, por jo aq sa të ishte në krye. Cili është mendimi juaj për Linditën?

Lindita nuk ka pasur jetëgjatësi si këngëtare dhe mund të theksoj që ishte një interpretuese, por kurrë, e theksoj kurrë, nuk ka marrë çmime të pamerituara. Apo në Festivalin e dënuar, të 11-in, ku në mënyrë moderne këndoi “Kafe Flora”. Në atë Festival, vendin e parë e fitoi i madhi Tonin Tërshana!