Adriatik-Llalla-Donald-Lu
Prokurori i Përgjithshëm nuk është kompleksuar nga deklaratat e forta të ambasadorëve. Në krah të ministrit të LSI, Ylli Manjanit, Adriatik Llalla foli kundër reformës në drejtësi, gjatë takimit konsultativ me krerët e Prokurorive.

“Po merren veprime të nxituara. Ka munguar procesi i konsultimit”, është shprehur Llalla.

Sipas Llallës, edhe mund të ketë “elementë problematikë” në prokurori, por “institucioni ka kapacitetet për t’i luftuar”.

Dy prokurorë u arrestuan për mitmarrje javët e fundit, Petrit Vukaj në Fier dhe Haxhi Giu, në Krujë. Nëse nuk do të kishte asnjë lëvizje për reformën në drejtësi, këto do të ishin ende dy prokurorë të nderuar, dhe do të vazhdonin punën njësoj siç kanë bërë vitet e fundit, kur Llalla ka qenë në krye të detyrës.

Në paketën ligjore për reformën në drejtësi, parashikohet që Adriatik Llalla duhet të largohet nga detyra, menjëherë pas miratimit.

Pak kohë më parë, Ambasadori amerikan, Donald Lu tha këo fjalë: “Unë e di kush është kundër reformës në drejtësi; ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, por kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë.

Këta persona pa fytyrë duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptar.

Mendoni për ta, sa herë të dëgjoni që këta njerëz e kritikojnë reformën në drejtësi!”