rama blushi_0
Kongresi i Partisë Socialiste dhe hapja e garës për kryetar, duket se po e shqetëson së tepërmi Edi Ramën. Ai e ka shtyrë këtë kongres dhe mandatin e tij, në kundërshtim me statutin e partisë, duke evituar jo rrezikun për t’u rizgjedhur, por frikën për një ballafaqim publik me rivalët e tij të mundshëm në një garë të hapur.
Dhe rivali kryesor i Edi Ramës, mbetet Ben Blushi, i cili po kërkon me insistim respektimin e rregullave të lojës, pa e fshehur ambicien e tij për të qenë kandidati kryesor përballë kryetarit aktual. Ndryshe nga tufa njëgjyrëshe në PS, që brohoret njëzëri për vazhdimin e mandatit të kryetarit- kryeministër pa përfillur statutin e partisë, Blushi ka kërkuar zbatimin e këtij statuti dhe kthmin e PS në një parti që respekton demokracinë e brendshme.
Por ndërsa kongresi më në fund është caktuar të mbahet më 19 mars, gara për kryetarin e partisë është ende në pikëpyetje. Gazeta Mapo raportoi sot, se drejtuesit dhe organizatorët e Kongresit nuk kanë parashikuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë, pasi me shumë mundësi do të mjaftohen vetëm me ndryshimet statutore, ku do të sanksionohet parimi i laburistëve anglezë që, kryetari i partisë nuk shkon në votim për t’u votëbesuar në rast se fiton zgjedhjet e përgjithshme.
A mund të kenë këto ndryshime statutore fuqi prapavepruese, pra të penalizojnë garën për kryetar të partisë në momentin kur është në fuqi statuti i mëparshëm dhe kur Rama e ka marrë mandatin si kryetar në bazë të këtij statuti?
Mapo shkruan se “pavarësisht sfidës që Ben Blushi i bëri dje Edi Ramës për të garuar për postin e kryetarit të partisë, mundësitë që kjo gjë të ndodhë janë të pakta. Kjo varet nga disa faktorë dhe elemente që do përcaktojnë jo vetëm mënyrën se si do të organizohet axhenda e Kongresit, por edhe më tej, procesi i zgjedhjes së kryetarit të partisë.
Në bazë të statutit aktual dhe në kushtet kur mandati i kryetarit të PS-së ka vite që ka mbaruar, Blushi dhe kushdo që aspiron për drejtimin e PS-së, kanë mundësi që të shpallin platformat e tyre politike për drejtimin e PS-së, çka nënkupton edhe shoqërimin e tyre me regjistrimin si kandidatë përkatës.
Kështu, neni 26 i Statutit të Partisë përcakton se “Përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për kryetar të PS, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PS paraqesin në Kongres platformat e tyre. Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit një ‘anëtar, një votë’, jo më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit”.
Pra ky nen i siguron kujtdo mundësinë që në kongres zgjedhor të mund të paraqiten platforma dhe kandidatura për kryetar partie.
Por në rastin konkret ekzistojnë dy pengesa.
E para, që u prek edhe nga Blushi në deklaratën e tij, është nëse PS-ja do vendosë që të bëjë zgjedhje dhe të përfshijë në rendin e ditës së Kongresit pikën për nisjen e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
Pra, pa përcaktuar një pikë në rendin e ditës, do jetë thuajse e vështirë që kjo çështje të bëhej pjesë e axhendës së Kongresit, pavarësisht se statuti e njeh mundësinë që një numër i caktuar delegatësh mund të kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës.
Pengesa e dytë që duket se është edhe më e vështira, ka të bëjë pikërisht me faktin se një grup pune i ngritur pranë PS-së po harton ndryshimet statutore që pritet të miratohen në këtë kongres dhe ku ndërmjet të tjerave sanksionohet parimi që kur partia fiton zgjedhjet e përgjithshme, atëherë ato konsiderohen edhe votëbesim i kryetarit të partisë.
Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe vetë kryeministri Edi Rama, ndërsa u është përgjigjur akuzave të Blushit, duke argumentuar në të njëjtën kohë edhe zgjatjen e mandatit të tij në 7 vjet në krye të PS-së. Pra në këto kushte, konkurrimi i Blushit do të ishte thuajse i pamundur”, shkruan Mapo.
I pyetur nga lapsi.al për këto dy pengesa, deputeti socialist Ben Blushi tha se kjo do të ishte një tentativë vetëshkatërruese për PS dhe do të mbyllte çdo hapësirë për demokraci të brendshme dhe garë të ndershme në parti. Në fakt, edhe nëse kongresi i PS miraton ndryshimin statutor se “kur partia fiton zgjedhjet e përgjithshme, atëherë ato konsiderohen edhe votëbesim i kryetarit të partisë”, ky ndryshim do të duhej të ishte i vlefshëm duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme.
Edi Rama nuk e zbatoi statutin e partisë në vitin 2009 kur humbi zgjedhjet dhe duhej të jepte dorëheqjen dhe nuk po e zbaton as sot kur do të duhej të votëbesohej përsëri në përfundim të mandatit të tij 4 vjeçar në bazë të statutit të PS që është në fuqi.