Partia Demokratike e quajti kriminale kërkesën e Bashkisë së Tiranës për të rritur çmimin e ujit të pijshëm. Në fillim këshilltarët demokratë dhe më pas kryetari i PD, Lulzim Basha, reaguan për këtë çështje, duke akuzuar Veliajn edhe për interesa mafioze.

“Rritja e tarifës së ujit të pijshëm është një element që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë”, thuhej në një deklaratë të ditës së djeshme.

Por kur Këshilli Bashkiak u mblodh në mbrëmje për të diskutuar mbi këtë iniciativë, demokratët munguan. Nuk vajtën në mbledhje për ta kundështuar Erion Veliajn përballë dhe për t’u paraqitur argumenta qytetarëve për qëndrimin e tyre apo për të zbardhur interesat e vërteta të Veliajt.

Në sallë ishin vetëm këshilltarët e PS dhe ata të LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm e kundështoi Veliajn, por paraqiti edhe një alternativë. Ajo kërkoi që bëhej diferencim mes konsumatorëve familjarë dhe bizneseve. Madje denoncoi Veliajn për standarde të dyfishta, teksa këshilltarët thanë se një deputet i PS në zonën e Dajtit nuk paguan fare për ujin e pijshëm në biznesin e tij.

Megjithatë, duket se PD dhe LSI nuk duan ta frenojnë Erion Veliajn që ta rrisë me 30 % ujin e pijshëm.
Për ta bërë këtë do të mjaftonte një lëvizje e thjeshtë: braktisja e mbledhjes së sotme në Këshillin Bashkiak nga të dy forcat që në zgjedhjet e 23 qershorit, në qeverisjen qëndrore, janë në opozitë. PD dhe LSI përbëjnë shumicën dhe vetëm me këshilltarët e saj, PS nuk arrin dot kuorumin e nevojshëm për të marrë vendim. Kështu, mbledhja do të ishte e pavlefshme.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka 61 antarë. 25 janë të PS, 13 të LSI, 17 të PD, 3 të PDIU, 1 i LZHK, 1 i FRD dhe 1 i PR. Do të mjaftonte ose mungesa e këshilltarëve të PD dhe LSI që vendimi të dështonte, ose do të duhej që të dy forcat që janë në opozitë, të bashkonin votat për ta ndalur rritjen e çmimit të ujit.

Por PD ka deklaruar se do të jetë në kohën e votimit, “për të votuar kundër”. Këshilltarët e saj do të mungojnë vetëm gjatë diskutimeve.
Në këtë mënyrë ata do të kontribuojnë që kuorumi të arrihet.

Edhe këshilltarët e LSI do të jenë të pranishëm në mbledhje. Nuk është e qartë se si do të votojnë. Por edhe pse publikisht shfaqen kundër idesë së Veliajt, këshilltarët e PD dhe LSI duken të pakoordinuar në lëvizjet e tyre për ta frenuar kryebashkiakun.
Në një kohë kur del krejt e qartë se këto dy forca mund ta frenojnë duke e bojkotuar mbledhjen apo edhe duke votuar kundër, gjithçka tjetër ngjan me një lojë politike dhe Erion Veliaj pritet t’ia arrijë sërish qëllimit të tij, ashtu siç ia arriti të rrisë çmimin e biletave të urbanëve apo të taksave për tregtarët.