Rama-Meta_0

Opozita u shfaq më e vendosur sot në kërkesën e saj për largimin e Ilir Metës nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Në seanën e tretë radhazi të parlamentit, përfaqësues të saj kërkuan largimin e tij. Por ndryshe nga dy të enjtet e kaluara, seanca e sotme u zhvillua e qetë. Deputeti Eduard Halimi bëri publik qëndrimin e opozitës në foltoren e kuvendit, pa u ndërprerë siç ndodhi një javë më parë me Arben Ristanin kur kryeparlamentari Meta nuk e lejoi të mbaronte fjalën.
Sot, seanca u drejtua nga nënkryetari Vangjel Dule, për shkak se Meta gjendet në një vizitë zyrtare në Zvicër. Deputetët e mazhorancës në sallë nuk ndërhynë për të kërkuar vazhdimin e seancës me rendin e ditës, por e dëgjuan të gjithë shqetësimin e PD drejtuar kreut të Kuvendit. As nënkryetari Dule nuk e ndërpreu dhe as deputetët e zhurmshëm të PS.
Ajo që fillimisht mendohej si një lloj distancimi i PS nga “afera Doshi” apo fakti që kryeministri Rama nuk tregoi ndonjë zell të veçantë për t’i dalë në krah aletatit të tij, duket se po vërtetohet. Socialistët sot treguan se ndoshta kanë vendosur të mos ndërhyjnë në këtë betejë të opozitës me Ilir Metën. Ashtu vepruan edhe dy të enjtet e shkuara, kur e lanë Metën të përballej i vetëm me deputetët e PD. Gjatë javës, në komisionet parlamentare, pati deputetë të PS që reaguan ndaj kërkesave të kolegëve demokratë për dorëheqjen e Metës. Por sot, asnjëri prej tyre nuk u ngrit për t’i dalë zot. Ndoshta edhe për faktin se nga ndërkombëtarët po vijnë mesazhe që i “sugjerojnë” Metës largimin, qoftë edhe përkohësisht, nga posti i Kryetarit të Kuvendit. I tillë ishte mesazhi i një dite më parë i Kryetarit të Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum. Edhe më parë është thënë herë pas here, veçanërisht nga ish -kryeministri Berisha, se Edi Rama ka marrë sinjale nga Gjermania për t’u distancuar nga aleati i tij problematik i LSI. Vetë Rama kur ishte në opozitë pati denoncuar në kancelaritë perëndimore aferën e videos Meta – Prifti.
Sipas kryetarit të Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, largimi i Metës do të mundësonte një sqarim pa paraqjgykime. Sot largimi i Ilir Metës nga drejtimi i Kuvendit, edhe pse vetëm fizik, nuk solli ndonjë sqarim në lidhje me akuzat që peshojnë mbi të, por bëri të qartë diçka tjetër: mungesa e tij e futi seancën në hullitë e rregullores, siç kërkoi një javë më parë kryeministri Rama, sepse mazhoranca socialiste duket se ka tjetër axhendë.