edi_rama_voton_copy_1_5534

Në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama është pyetur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. Por kreu i qeverisë thotë se nuk ka asnjë arsye të ndodhë një gjë e tillë dhe se kjo është vetëm një tekë e opozitës.
“…nuk shoh asnjë klimë të posaçme. Unë shoh një situatë në të cilën PD-ja, e cila është në një krizë lidershipi, është në një krizë skuadre, në krizë programi, është në krizë alternative në tërësi, që nga dita e parë pas humbjes së pushtetit, synon t’a transferojë këtë krizë nga rrethi i ngushtë i elitës së saj në jetën politike dhe me gjasë edhe në jetën tonë shoqërore. Ky është një synim që nuk ka asnjë shans të ketë sukses. Sepse nuk reflekton ndonjë shqetësim popullor, por reflekton thjesht dhe vetëm një konfuzion të madh që e karakterizon PD-në, për fat të keq, gjatë këtyre viteve dhe që është kthyer në një ankth të madh për shkak të vettingut dhe patjetër edhe për shkak të paaftësisë për t’i dhënë njerëzve një ofertë reale, një ofertë të besueshme, një ofertë të botueshme” – thotë Rama.
A ka Rama një ftesë për dialog?
Ftesa për dialog ka qenë e hapur gjithmonë, e kam përsëritur vazhdimisht, por sigurisht duke theksuar se për çfarë nuk mund të negociohet, që është data e zgjedhjeve, sepse ajo është data e popullit dhe jo e partive. Nuk kemi asgjë në dorë për të vendosur brenda një grupi përfaqësuesish të popullit, që populli të kalojë në plan të dytë dhe tekat tona të kalojnë në plan të parë. Si me qeverinë teknike që nuk negociohet për faktin që jemi nën një kontratë dhe kontrata respektohet deri me 18 qershor” – thotë Rama.
“Përgjigja ime është se jemi shumë ngushtë me kohën dhe do të presim Partinë Demokratike deri në sekondën e fundit për t’ia dhënë të gjitha shanset dhe, pastaj ne kemi punë me popullin dhe s’kemi punë me çadrën” – e mbyll Rama.