Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Presidenti Ilir Meta ka uruar Ditën e Rinisë, duke prëkujtuar 8 Dhjetorin e 28 viteve më parë. “Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës”, shkruan Meta.

Një vlerësim të veçantë Kreu i Shtetit, ka për liderin e Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari.

“Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar”, shkruan Meta, teksa shton se “Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar”.

Më tej Meta ka edhe një mesazh për të rinjtë: “Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë të tyre në Shqipëri”.