Droga Bari

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama dhe ministrin e brendshëm, Tahiri se po i ofrojnë lehtësi kartelit të drogës për të transportuar sasi të mëdha hashashi brenda vendit dhe për ta kaluar jashtë kufinjve. Sipas PD, vetëm në 10 ditë janë kapur 4.5 ton drogë në Itali e Greqi. Enkelejd Alibeja tha në një deklaratë për shtyp se droga mbetet e vetmja alternativë e Edi Ramës.

Deklarata e PD:

Në 10 ditët e para të këtij vitit, rreth 4 ton e gjysëm drogë, kanë kaluar përmes kufinjve të Shqipërisë në drejtim të Italisë dhe Greqisë.

Në Otranto, Torre-Veneri, Napoli, Lece, Brindizi, kanë mbërritur rreth 4 tonë drogë në këto 10 ditë, të kapura e të sekuestruara nga policia italiane.

Po ashtu, në Igumenicë, Selanik, Kostur, janë kapur rreth 500 kg droge, nga policia greke.

Afërsisht 4 tonë e gjysëm, në 10 ditë, vetëm sasia e kapur, e sekuestruar.

Këto të dhëna tronditëse, dëshmojnë qartë se karteli qeveritar i drogës vazhdon pa ndalesë aktivitetin, dhe qeveria, Rama e Tahiri, i ofrojnë atyre rregullisht lehtësitë për ta transportuar brenda vendit, e për të kaluar kufinjtë tanë.

Këto të dhëna, dëshmojnë se droga mbetet edhe për këtë vit alternative e Edi Ramës, dhe angazhimi kryesor i tahirit të tij.

?Koha ka ardhur për ta larguar këtë të keqe, e për të sjellë një qeveri që krijon mundësi për zhvillim e punë të ndershme.