Ndërsa shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë performancë pozitive në të ardhura dhe në rritjen ekonomike, zëri i investimeve ka ecur në kahun tjetër.

Referuar treguesve fiskale të konsoliduar për 11 muajt e vitit 2018, vihet re se realizimi i investimeve publike është në masën e 68 për qind të planifikimit vjetor, që do të thotë në nivele shumë më të ulta me pritshmërinë, duke ia lënë peshën më të madhe muajit të fundit të vitit.

Konkretisht, për periudhën Janar-Nëntor 2018 janë përdorur për shpenzime kapitale 57.5 miliardë lekë nga 84.2 miliardë lekë që është planifikimi vjetor.

Ndërkaq, rreth 26.7 miliardë lekë kanë mbetur “në stok” për tu realizuar gjatë muajit Dhjetor, gjë që do ta tregojnë shifrat. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 12 për qind më i lartë ose rreth 6.15 miliard lekë më shumë.

Të dhënat tregojnë se realizimi me financim të brendshëm është në masën e afro 35.3 miliardë lekëve, ndërsa me financim të huaj në 21.6 miliardë lekëve. Shifrat tregojnë se të ardhurat e vjelura nga qytetarët dhe bizneset, nuk janë përkthyer në shërbime publike më cilësore.

Mosrealizmi ka qenë dhe një ndër shkaqet e ndërhyrjes në buxhet në mesin e vitit, për t’u dhënë më shumë fondeve projekteve prioritare dhe që kanë pasur më shumë përparim.