n00197830-b_0
Pothuajse të gjitha mediat greke kanë pasqyruar vizitën e Sekretarit Amerikan, Jon Kerry, por të gjitha mbanin kryesisht tituj të tipit: “Shqipëria do të presë 2000 muxhahedinë nga Irani”, duke treguar në këtë mënyrë një farë shqetësimi.

“Rreth 2 mijë anëtarë të organizatës së opozitës iraniane “Mojahedin-e-Khalq” pritet që të mbërrijnë në Shqipëri pasi qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me amerikanët. Në maj të vitit 2013, qeveria “Berisha” strehoi 210 muxhahedinë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka rënë dakord për të mirëpritur edhe 2.000 të tjerë, nga 2.800 që ndodhen në “Kampin liria” në Irak”, është shprehur portali “Pro News”, teksa në të njëjtën linjë me të kanë qenë dhe një sërë mediash të tjera, si “Iefimerida”, “Inewsgr”, etj.

Një pjesë e madhe e mediave e kanë pasur ndër shkrimet kryesore në faqet e tyre në internet lajmin për pritjen e muxhahedinëve, që sipas tyre ata mund të jenë një rrezik, pasi bëhet fjalë për një numër vërtet të lartë, raporton Sot.

Edhe pse shumë të tjera kanë theksuar se çdo vit ka vijuar të rritet numri i muxhahedinëve që vijnë nga Irani, kjo shifër mund të jetë kërcënim për rajonin sipas tyre. Nga ana tjetër, në mediat ndërkombëtare flitet se kjo organizatë ka arritur të organizojë sulme dhe nga jashtë Iranit, madje dhe që nga Parisi, ku aktualisht dyshohet se ndodhen krerët e saj.