Duke nisur nga ky muaj, më shumë se 15 mijë të punësuar në Shqipëri do të përfitojnë 2 mijë lekë më shumë si rrjedhojë e ndryshimit të ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Ndryshimet në paketën fiskale, që tashmë kanë hyrë në fuqi, parashikojnë rritjen e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë.

Çfarë ndryshon

Më parë, pagat deri në 130 mijë lekë tatoheshin me nivelin 13 % mbi nivelin e atyre të ardhurave që kalojnë shifrën 30 mijë lekë. E ato të ardhura që janë mbi këtë shumë, kalonin në tatimin me 23 %. Më ndryshimin e fundit, pagat që do të tatohen me nivelin 13 % janë ato deri në 150 mijë lekë. Në këtë mënyrë, me skemën e re, të ardhurat deri në 150 mijë lekë do të tatohen me 13 % për pjesën mbi 30 mijë lekë dhe me 23 % të ardhurat që janë mbi këtë shumë.

Pra, 20 mijë lekëshi që ndryshon si nivel page, do të kalojë në nivelin e tatimit nga 23 % në 13 %.