Gjatë vitit 2017, vetëm 80.1% e të rinjve shqiptarë u diplomuan në arsimin e mesëm, duke shënuar rënien për herë të parë të kësaj norme në tre vitet e fundit.
Me 4 në 5 të rinj që përfundojnë gjimnazin apo arsimin ekuivalent me të, kjo është shkalla më e ulët e diplomimit që prej vitit 2014.

Pjesëmarrja në arsimin e mesëm në total ndërkohë arrin në 93.9% për sezonin shkollor 2017-2018, duke u rritur me 0.8% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, gjatë viteve është vënë re një tendencë në rritje e regjistrimit të të rinjve në arsimin e mesëm profesional.

Nga 18% që ka qenë në vitin shkollor 2013-2014, ky raport është rritur në 20.6% përgjatë vitit 2017-2018, krahasuar me 79.4% që zgjedhin gjimnazin e përgjithshëm.

Treguesit flasin edhe për përmirësimin e kushteve në arsimin publik në të gjitha nivelet e tij, ku raporti nxënës për mësues ka ardhur duke u ulur nga viti në vit.